Secondary Adv

Rama: Do ulim cmimin e energjise dhe do te heqim TVSH-ne

Çmimi i energjisë elektrike do të ulet falë përmirësimit të treguesve të kompanive. Kryeministri Edi Rama e bëri këtë deklaratë gjatë përurimit të qendrës dispeçer të energjisë, duke u shprehur se gradualisht do të shkohet në mbajtjen e zotimit për heqjen e TVSH-së për konsumatorët familjarë.


“Duam që të shkojmë më tutje drejt uljes së mëtejshme të çmimit. Duam të shkojmë drejt përmbushjes së zotimit për TVSH-në e energjisë për konsumatorët familjarë dhe faturat afrore nuk do të ekzistojnë më”, deklaroi kryeministri në përurimin e Qendrës Kombëtare Dispeçer dhe sistemit të ri të kontrollit SCADA/EMS, i vendosur pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Nga ana tjetër, pavarësisht arritjeve në sektorin e energjisë, Rama tha se ka ende shumë punë për të bërë. “Dua të falënderoj ministrin e Energjisë për lidershipin dhe vendosmërinë e tij, si dhe për faktin shumë të rëndësishëm, që mbas meje është i dyti njeri më i pakënaqur në Shqipëri për situatën ku jemi. Jo sepse nuk kemi bërë shumë, por sepse e dimë shumë mirë që kemi shumë për të bërë”, u shpreh Rama, duke shtuar se energjia nuk është një mall elektoral dhe të gjithë ata që do të abuzojnë me matësit do të marrin ndëshkime të ashpra.


“Truri” i energjisë
Kryeministri Edi Rama, pjesëmarrës në këtë përurim, theksoi se ky investim tejet i rëndësishëm e shndërron këtë qendër në “trurin” e vetëm elektronik në energji të këtyre përmasave. “Mua më kujtohet fare mirë se si në mars të vitit 2014, kur së bashku me ministrin dhe me drejtorin, vendosëm që ta transformonim këtë qendër nga një zonë e përmbytur. Këtu ka shumë dëshmitarë që kjo zonë përmbytej me ujë dhe një kontratë me qeverinë italiane ishte braktisur plotësisht. Gjithçka kishte shkuar në drejtim të paditur. Unë jam krenar që Shqipëria ka një qendër të këtyre standardeve dhe që sistemi ynë energjetik disponon një ‘tru’ elektronik të këtyre përmasave. Jam njeriu më i pakënaqur me të gjitha gjërat sepse kam vetëdijen se kemi bërë shumë, por mbetet shumë më tepër për të bërë”, deklaroi kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe në gjendjen ku ishte sistemi energjetik, duke theksuar se sot, falë këtij investimi strategjik, Shqipëria është integruar në familjen europiane, pasi ka hyrë në sistemin europian të monitorimit, konsumit dhe shpërndarjes së energjisë. Kryeministri theksoi se përfitimet e drejtpërdrejta për vendin tonë janë më se të qarta. “Kjo qendër na mundëson një shfrytëzim optimal të rrjetit të transmetimit. Ky sistem siguron një qarkullim racional të gjakut në të gjithë organizmin, duke i dhënë fund një historike keqshfrytëzimi të burimeve të energjisë, ku pa këtë sistem ishin jashtë kontrollit. Me këtë investim rritet besueshmëria në sistem që vjen si një hap i ri i besimit te reformat rrënjësore që ne ndërmorëm, na jep një pozicion shumë më të favorshëm edhe me investitorët”, përfundoi ai.


Si funksionon sistemi
Përurimi i Qendrës Kombëtare Dispeçer dhe Sistemi i Ri i kontrollit SCADA/EMS vjen si një nga projektet më të rëndësishme të OST-së. Projekti është financuar nga një kredi nga qeveria italiane përmes Koperacionit Italian. Vlera e projektit është rreth 7 milionë euro për ndërtesën e re dhe 16 milionë euro për sistemin SCADA/EMS. Në sistemin e kontrollit të implementuar në OST monitorohen dhe operohen në kohë reale të gjithë nënstacionet 400 kV dhe 220kV, si dhe pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e nënstacioneve 110 kV. EMS është paketa e aplikacioneve të rrjetit, e cilat nëpërmjet studimeve të brendshme të sistemit, bazuar në gjendjen aktuale të tij dhe në parametrat e çdo elementi të sistemit energjetik të përfshirë në SCADA, optimizon gjendjen e sistemit. Sistemi i kontrollit të gjenerimit përmban procese në kohë reale, të cilat rregullojnë gjenerimin e energjisë në përputhje me kufizimet operative dhe ekonomike, duke ruajtur frekuencën e sistemit dhe programet e shkëmbimit me zonat e kontrollit, në përputhje me vlerat e planifikuara. Ndër përfitimet nga operimi me këtë sistem kontrolli është: shfrytëzimi optimal i rrjetit të transmetimit; optimizimi i përdorimit të burimeve; rritja e cilësisë së operimit; rritja e besueshmërisë së sistemit energjetik. Projekti i Sistemit SCADA/EMS, ka qenë kushti kryesor për anëtarësimin e OST në rrjetin europian të operatorëve të sistemit të transmetimit për energjinë elektrike (ENTSO-E).


Më të lexuarat